Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Zephaniah 1

[1] [2] [3]

ZEPH 1:1 Fjala e Zotit që iu drejtua Sofonias, birit të Kushit, bir i Gedaliahut, bir i Amariahut, bir i Ezekias, në ditët e Josias, birit të Amonit, mbret i Judës.

ZEPH 1:2 "Unë do të zhduk krejt çdo gjë nga faqja e dheut", thotë Zoti.

ZEPH 1:3 "Do të zhduk njerëz dhe kafshë, do të zhduk zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, shkaqet e mëkatit së bashku me të pabesët dhe do të shfaros njeriun nga faqja e dheut", thotë Zoti.

ZEPH 1:4 "Do të shtrij dorën time kundër Judës dhe kundër të gjithë banorëve të Jeruzalemit dhe do të shfaros nga ky vend mbeturinat e Baalit, emrin e priftërinjve idhujtarë, bashkë me priftërinjtë,

ZEPH 1:5 ata të cilët bien përmbys mbi tarraca përpara ushtrisë së qiellit, ata që bien përmbys duke iu betuar Zotit, por duke iu betuar edhe Malkamit,

ZEPH 1:6 ata që largohen nga Zoti dhe ata që nuk e kërkojnë Zotin dhe nuk e konsultojnë.

ZEPH 1:7 Rri në heshtje para Zotit, Zotit, sepse dita e Zotit është e afërt, sepse Zoti ka përgatitur një flijim, ka shenjtëruar të ftuarit e tij.

ZEPH 1:8 Ditën e flijimit të Zotit do të ndodhë që unë do të ndëshkoj princat, bijtë e mbretit dhe tërë ata që mbajnë veshje të huajsh.

ZEPH 1:9 Po atë ditë do të ndëshkoj tërë ata që hidhen mbi prag, që mbushin me dhunë dhe mashtrim shtëpitë e zotërve të tyre.

ZEPH 1:10 Atë ditë", thotë Zoti, "do të ngrihet një britmë nga porta e peshqve, një klithmë nga lagja e dytë dhe një zhurmë e madhe nga kodrat.

ZEPH 1:11 Ulërini, o banorë të Makteshit, sepse tërë populli i tregtarëve është asgjësuar, tërë ata të ngarkuar me para janë shfarosur.

ZEPH 1:12 Në atë kohë do të ndodhë që unë do të kontrolloj Jeruzalemin me llampa dhe do të ndëshkoj njerëzit që, duke qëndruar në llumin e tyre, thonë në zemër të tyre: "Zoti nuk bën as të mirë as të keq".

ZEPH 1:13 Prandaj pasuritë e tyre do të bëhen plaçkë lufte dhe shtëpitë e tyre do të shkretohen. Do të ndërtojnë shtëpi, do të mbjellin vreshta, por nuk do pinë verën e tyre".

ZEPH 1:14 Dita e Zotit është e afërt, është e afërt dhe po vjen me shpejtësi të madhe. Zhurma e ditës së Zotit është e hidhur; atëherë njeriu trim do të këlthasë fort.

ZEPH 1:15 Ajo ditë është një ditë zemërimi, një ditë mjerimi dhe ankthi, një ditë shkatërrimi dhe shkretie, një ditë terri dhe mjegulle, një ditë resh dhe errësire të thellë,

ZEPH 1:16 një ditë zhurmimi të borisë dhe alarmi kundër qyteteve të fortifikuara dhe kullave të larta.

ZEPH 1:17 Unë do të sjell fatkeqësinë mbi njerëzit dhe ata do të ecin si të verbër, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit; gjaku i tyre do të shpërndahet si pluhur dhe mishi i tyre si jashtëqitje.

ZEPH 1:18 As argjendi i tyre as ari i tyre nuk do të mund t'i çlirojnë ditën e zemërimit të Zotit; përkundrazi tërë vendi do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë së tij, sepse ai do të kryejë me siguri një shkatërrim të plotë të të gjithë banorëve të vendit.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase