Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Amos 1

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9]

AMOS 1:1 Fjalë të Amosit, një nga barinjtë e Tekoas, që pati vegime për Izraelin, në kohën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit, dy vjet para tërmetit.

AMOS 1:2 Ai tha: "Zoti bërtet nga Sioni dhe bën që të dëgjohet zëri i tij në Jeruzalem; kullotat e barinjve janë të shkreta dhe maja e Karmelit u tha".

AMOS 1:3 Kështu flet Zoti: "Për tre krime të Damaskut, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e kanë shirë Galaadin me shirëse prej hekuri.

AMOS 1:4 Prandaj do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit, që do të gllabërojë pallatet e Ben-hadadit.

AMOS 1:5 Do të copëtoj edhe shufrat e Damaskut, do të shfaros banorin e Bikath-avenit dhe atë që mban skeptrin e Beth-edenit, dhe populli i Sirisë do të shkojë në robëri në Kir", thotë Zoti.

AMOS 1:6 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Gazës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e saj, sepse kanë shpërngulur një popullatë të tërë për t'ia dorëzuar Edomit.

AMOS 1:7 Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Gazës, që do të gllabërojë pallatet e saj.

AMOS 1:8 Do të shfaros banorin prej Ashdodit dhe atë që mban skeptrin prej Ashkelonit; do ta kthej dorën time kundër Ekronit, dhe kusuri i Filistejve do të vdesë", thotë Zoti, Zoti.

AMOS 1:9 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Tiros, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse i kanë dorëzuar si robër Edomit një popullatë të tërë, pa kujtuar besëlidhjen vëllazërore.

AMOS 1:10 Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Tiros, që do të gllabërojë pallatet e tij".

AMOS 1:11 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Edomit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka ndjekur me shpatë vëllanë e tij, duke mbytur çdo mëshirë; zemërimi i tij vepron vazhdimisht dhe indinjata e tij përjetë.

AMOS 1:12 Prandaj do të dërgoj zjarr kundër Temanit, që do të gllabërojë pallatet e Botsrahut".

AMOS 1:13 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të bijve te Amonit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse u kanë çarë barkun grave me barrë të Galaadit për të zgjeruar kufijtë e tyre.

AMOS 1:14 Prandaj do të ndez një zjarr brenda mureve të Rabahut, që do të gllabërojë pallatet e tij midis zhurmës së një dite beteje, midis shakullinës së një dite stuhie.

AMOS 1:15 Mbreti i tyre do të shkojë në robëri, ai bashkë me krerët e tij", thotë Zoti.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase