Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Daniel 3

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12]

DAN 3:1 Mbreti Nebukadnetsar urdhëroi të ndërtohet një figurë prej ari, e lartë gjashtëdhjetë kubitë dhe e gjerë gjashtë kubitë, dhe e ngriti në fushën e Duras, në krahinën e Babilonisë.

DAN 3:2 Pastaj mbreti Nebukadnetsar dërgoi njerëz të mbledhin satrapët, prefektët, qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave, me qëllim që të vinin në përurimin e figurës që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.

DAN 3:3 Atëherë satrapët, prefektët dhe qeveritarët, gjykatësit, nëpunësit e thesarit, këshilltarët e shtetit, ekspertët e ligjit dhe tërë autoritetet e krahinave u mblodhën bashkë për përurimin e figurës që kishte ngritur mbreti Nebukadnetsar, dhe qëndruan në këmbë përpara figurës që Nebukadnetsari kishte ngritur.

DAN 3:4 Pastaj kasneci thirri me zë të lartë: "Juve, popuj, kombe dhe gjuhë, ju jepet urdhër që,

DAN 3:5 sapo të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle, të bini përmbys për të adhuruar figurën prej ari që ka ngritur mbreti Nebukadnetsar;

DAN 3:6 kushdo që nuk do të bjerë përmbys për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në mes të një furre zjarri përvëlues".

DAN 3:7 Kështu, me të dëgjuar tërë popujt zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit dhe të çdo lloji vegle, tërë popujt, kombet dhe gjuhët ranë përmbys dhe adhuruan figurën e artë, që mbreti Nebukadnetsar kishte ngritur.

DAN 3:8 Për këtë arësye në atë çast, disa Kaldeas dolën dhe paditën Judejtë;

DAN 3:9 duke marrë fjalën, i thanë mbretit Nebukadnetsar: "O mbret, jetofsh për jetë!

DAN 3:10 Ti, o mbret, ke nxjerrë një dekret, në bazë të të cilit kushdo që ka dëgjuar zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloji vegle duhet të bjerë përmbys për të adhuruar figurën e artë;

DAN 3:11 dhe ai që nuk bie përmbys dhe nuk adhuron, duhet të hidhet në mes të një furre me zjarr përvëlues.

DAN 3:12 Por ka disa Judej që i ke vënë në krye të administrimit të punëve të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, që nuk kanë asnjë konsideratë për ty; nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk adhurojnë figurën e artë që ti ke ngritur".

DAN 3:13 Atëherë Nebukadnetsari, i zemëruar dhe i tërbuar, urdhëroi që të sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon; kështu këta njerëz u çuan para mbretit.

DAN 3:14 Nebukadnetsari u drejtoi atyre fjalën, duke thënë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, a është e vërtetë që nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk adhuroni figurën e artë që unë kam ngritur?

DAN 3:15 Tani, posa të dëgjoni zërin e bririt, të flautit, të qestes, të lirës, të salterit, të gajdes dhe të çdo lloj vegle, në rast se jeni gati të bini përmbys për të adhuruar figurën që unë kam bërë, mirë; por në rast se nuk do ta adhuroni, do t'ju hedhin menjëherë në mes të një furre të ndezur; dhe cila ështe ajo perëndi që do të mund t'ju çlirojë nga duart e mia?

DAN 3:16 Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego iu përgjigjën mbretit, duke thënë: "O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë.

DAN 3:17 Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret.

DAN 3:18 Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t'u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur".

DAN 3:19 Atëherë Nebukadnetsari u mbush me inat dhe shprehja e fytyrës së tij ndryshoi ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos. Duke marrë përsëri fjalën, urdhëroi që furra të ngrohej shtatë herë më shumë se zakonisht.

DAN 3:20 Pastaj urdhëroi disa njerëz të fortë dhe trima të ushtrisë së tij të lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon dhe t'i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues.

DAN 3:21 Atëherë këta tre burra i lidhën dhe, me pantallonat e tyre, me tunikën e tyre dhe me gjitha mbulesën e tyre të kokës dhe i hodhën në mes të furrës me zjarr përvëlues.

DAN 3:22 Por me qenë se urdhëri i mbretit ishte i rreptë dhe furra ishte jashtëzakonisht e mbingrohur, flaka e zjarrit vrau njerëzit që kishin hedhur në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon.

DAN 3:23 Dhe këta tre burra, Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego, ranë të lidhur në mes të furrës me zjarr përvëlues.

DAN 3:24 Atëherë mbreti Nebukadnetsar, i habitur, u ngrit me nxitim dhe filloi t'u thotë këshilltarëve të tij: "Nuk i kemi hedhur tre burrat të lidhur në mes të zjarrit?". Ata u përgjigjën dhe i thanë mbretit: "Sigurisht, o mbret".

DAN 3:25 Ai foli përsëri: "Ja, unë po shoh katër burra të palidhur, që ecin në mes të zjarrit, pa pësuar asnjë dëm; dhe pamja e të katërtit i përngjan asaj të një biri të Perëndisë".

DAN 3:26 Pastaj Nebukadnetsari iu afrua grykës së furrës me zjarr përvëlues dhe filloi të thotë: "Shadrak, Meshak dhe Abed-nego, shërbëtorë të Perëndisë Më të Lartë, dilni dhe ejani këtu". Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego dolën nga mesi i zjarrit.

DAN 3:27 Pastaj satrapët, prefektët, qeveritarët dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të vërejtur këta burra: zjarri nuk kishte patur asnjë fuqi mbi trupin e tyre, flokët e kokës së tyre nuk ishin djegur, mantelet e tyre nuk ishin dëmtuar dhe as era e zjarrit nuk ishte shtruar mbi ta.

DAN 3:28 Nebukadnetsari filloi të thotë: "Qoftë i bekuar Perëndia i Shadrakut, i Meshakut dhe i Abed-negos, që ka dërguar engjëllin e tij dhe ka çliruar shërbëtorët e tij, që kanë pasur besim tek ai; ata

DAN 3:29 Prandaj unë dekretoj që kushdo, cilitdo populli, kombi o gjuhe që t'i përkasë, që do të flasë keq për Perëndinë e Shadrakut, të Meshakut dhe të Abed-negos, të pritet copë-copë dhe shtëpia e tij të katandiset në një vend plehrash, sepse nuk ka asnjë perëndi që mund të të shpëtojë në këtë mënyrë".

DAN 3:30 Atëherë mbreti bëri që Shadraku, Meshaku dhe Abed-nego të kenë mbarësi në krahinën e Babilonisë.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase