Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Lamentations 3

[1] [2] [3] [4] [5]

LAM 3:1 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

LAM 3:2 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

LAM 3:3 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

LAM 3:4 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

LAM 3:5 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

LAM 3:6 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

LAM 3:7 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

LAM 3:8 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

LAM 3:9 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

LAM 3:10 Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.

LAM 3:11 Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.

LAM 3:12 Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.

LAM 3:13 Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.

LAM 3:14 Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.

LAM 3:15 Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.

LAM 3:16 Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.

LAM 3:17 Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.

LAM 3:18 Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".

LAM 3:19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

LAM 3:20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

LAM 3:21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

LAM 3:22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

LAM 3:23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.

LAM 3:24 "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.

LAM 3:25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.

LAM 3:26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.

LAM 3:27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.

LAM 3:28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.

LAM 3:29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.

LAM 3:30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.

LAM 3:31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;

LAM 3:32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,

LAM 3:33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.

LAM 3:34 Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,

LAM 3:35 kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,

LAM 3:36 kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?

LAM 3:37 Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?

LAM 3:38 E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?

LAM 3:39 Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?

LAM 3:40 Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.

LAM 3:41 Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.

LAM 3:42 Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.

LAM 3:43 Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.

LAM 3:44 Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.

LAM 3:45 Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.

LAM 3:46 Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.

LAM 3:47 Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.

LAM 3:48 Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.

LAM 3:49 Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,

LAM 3:50 deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.

LAM 3:51 Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.

LAM 3:52 Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.

LAM 3:53 Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.

LAM 3:54 Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".

LAM 3:55 Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.

LAM 3:56 Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.

LAM 3:57 Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"

LAM 3:58 O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.

LAM 3:59 O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!

LAM 3:60 Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.

LAM 3:61 Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,

LAM 3:62 fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.

LAM 3:63 Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.

LAM 3:64 Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.

LAM 3:65 Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.

LAM 3:66 Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase