Main Index: Albanian Bible UTF8

 

2 Chronicles 19

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34] [35] [36]

2CHRON 19:1 Jozafati, mbret i Judës, u kthye shëndoshë e mirë në shtëpinë e tij në Jeruzalem.

2CHRON 19:2 Por shikuesi Jehu, bir i Hananit, i doli përpara dhe i tha mbretit Jozafat: "A duhet të ndihmoje ti një të pafe dhe të doje ata që urrenin Zotin? Prandaj mëria e Zotit është mbi ty.

2CHRON 19:3 Megjithatë janë gjetur te ti gjëra të mira, sepse ke hequr nga vendi Asherothët dhe zemra jote është përpjekur për të kërkuar Perëndinë".

2CHRON 19:4 Kështu Jozafati banoi në Jeruzalem; pastaj shkoi përsëri midis popullit, nga Beer-Sheba në krahinën malore të Efraimit, dhe i solli ata përsëri te Zoti, Perëndia i etërve të tij.

2CHRON 19:5 Pastaj ai emëroi gjyqtarë në vend, në të tëra qytetet e fortifikuara të Judës, qytet pas qyteti,

2CHRON 19:6 dhe u tha gjyqtarëve: "Kini kujdes për atë që bëni, sepse nuk gjykoni për njeriun por për Zotin, që do të jetë me ju kur do të administroni drejtësinë.

2CHRON 19:7 Prandaj tani frika e Zotit qoftë mbi ju. Tregoni kujdes për atë që bëni, sepse tek Zoti, Perëndia ynë, nuk ka asnjë padrejtësi, as anësi, as pranim dhuratash.

2CHRON 19:8 Edhe në Jeruzalem Jozafati vendosi disa Levitë priftërinj dhe të parë të shtëpive atërore të Izraelit për gjykimin e Zotit dhe për grindjet e ndryshme; këta banonin në Jeruzalem.

2CHRON 19:9 I urdhëroi ata duke thënë: "Ju do të veproni duke pasur frikë nga Zoti, me besnikëri dhe me zemër të pastër.

2CHRON 19:10 Në çdo grindje që do t'ju parashtrohet para jush nga ana e vëllezërve tuaj që banojnë në qytetet e tyre, qoftë për gjak të derdhur ose për shkelje të ligjit apo të një urdhërimi, kundër statuteve ose dekreteve, lajmërojini që të mos bëhen fajtorë përpara Zotit, dhe zemërimi të mos bjerë mbi ju dhe mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu dhe nuk do të bëheni fajtorë.

2CHRON 19:11 Dhe ja, prifti më i lartë Amariah do të caktohet mbi ju për çdo çështje që i përket Zotit, ndërsa Zebadiahu, bir i Ismaelit, i pari i shtëpisë së Judës, do të jetë për çdo çështje që ka të bëjë me mbretin; edhe Levitët do të jenë në dispozicionin tuaj si gjyqtarë. Tregohuni të fortë dhe i hyni punës, dhe Zoti do të jetë me njeriun e drejtë".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase