Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Joshua 18

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24]

JOSH 18:1 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shiloh, dhe aty ngritën çadrën e mbledhjes. Vendi u ishte nënshtruar atyre.

JOSH 18:2 Por kishte midis bijve të Izraelit shtatë fise, që nuk e kishin marrë akoma trashëgiminë e tyre.

JOSH 18:3 Kështu Jozueu u tha bijve të Izraelit: "Deri kur nuk do të kujdeseni të shkoni të merrni vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju ka dhënë?

JOSH 18:4 Zgjidhni midis jush tre burra për çdo fis dhe unë do t'i nis. Ata do të ngrihen, do ta përshkojnë vendin, do të bëjnë përshkrimin e tij në bazë të pjesës së tyre të trashëgimisë dhe pastaj do të kthehen tek unë.

JOSH 18:5 Ata do ta ndanë në shtatë pjesë: Juda do të mbetet në territorin e tij në jug dhe shtëpia e Jozefit në territorin e tij në veri.

JOSH 18:6 Ju do të bëni, pra, përshkrimin e vendit në shtatë pjesë; do ta sillni tek unë dhe unë do të hedh shortin për ju këtu, para Zotit, Perëndisë tonë.

JOSH 18:7 Por Levitët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në mes tuaj, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre; dhe Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manasit kanë marrë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit në lindje, që Moisiu, shërbëtori i Zotit, u ka dhënë atyre".

JOSH 18:8 Ata njerëz, pra, u ngritën dhe u nisën; dhe Jozueu i urdhëroi ata që niseshin për të përshkruar vendin, duke u thënë: "Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni përshkrimin e tij; pastaj kthehuni tek unë, dhe këtu unë do të hedh shortin për ju para Zotit në Shiloh".

JOSH 18:9 Kështu ata njerëz u nisën, e përshkuan vendin dhe bënë në një libër përshkrimin e shtatë pjesëve të tij simbas qyteteve; pastaj u kthyen tek Jozueu në kampin e Shilohut.

JOSH 18:10 Atëherë Jozueu hodhi shortin për ta në Shiloh para Zotit dhe e ndau vendin midis bijve të Izraelit, simbas ndarjeve të tyre.

JOSH 18:11 U hodh në short pjesa e fisit të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre; territori që u ra në short kishte kufijtë e tij midis bijve të Judës dhe bijve të Jozefit.

JOSH 18:12 Nga ana veriore kufiri i tyre fillonte me Jordanin, ngjitej në shpatin në veri të Jerikos, kalonte krahinën malore në drejtim të perëndimit dhe mbaronte në shkretëtirën e Beth-Avenit.

JOSH 18:13 Që andej kufiri ngjitej në Luc, mbi shpatin në jug të Lucit (që është Betheli); pastaj zbriste në Ataroth-Adar, pranë malit që ndodhet në jug të Beth-Horonit të poshtëm.

JOSH 18:14 Pastaj kufiri shtrihej, duke kthyer në krahun perëndimor drejt jugut të malit që ngrihej përballë Beth-Horonit, në jug, dhe mbaronte në Kirjath-Baal (që është Kiriath-Jearimi), qytet i bijve të Judës. Ky ishte krahu perëndimor.

JOSH 18:15 Ana jugore fillonte në skajin e Kiriath-Jearimit. Kufiri zgjatej në drejtim të perëndimit deri sa prekte burimin e ujërave të Neftoahut;

JOSH 18:16 pastaj kufiri zbriste në skajin e malit që ndodhet përballë luginës së birit të Hinomit, që është në luginën e gjigantëve, në veri, dhe zbriste nëpër luginën e Hinomit, në anën jugore të qytetit të Jebuzejve, deri në En-Rogel.

JOSH 18:17 Pastaj kthente në drejtim të veriut dhe arrinte në En-Shemesh; shtrihej në drejtim të Gelilothit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumimit, dhe zbriste në gurin e Bohanit, birit të Rubenit;

JOSH 18:18 pas kësaj kalonte në shpatin verior përballë Arabahut dhe zbriste në drejtim të tij.

JOSH 18:19 Kufiri kalonte pastaj nga shpati verior i Beth-Hoglahut dhe mbaronte në kepin verior të Detit të Kripur, në skajin jugor të Jordanit. Ky ishte kufiri në jug.

JOSH 18:20 Jordani shërbente si kufi nga ana lindore. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Beniaminit në bazë të kufijve rreth e qark, simbas familjeve të tyre.

JOSH 18:21 Qytetet e fiseve të bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre, ishin Jeriko, Beth-Hoglahu, Emek-Ketsitsi,

JOSH 18:22 Beth-Arabahu, Tsemaraimi, Betheli,

JOSH 18:23 Avimi, Parahu, Ofrahu,

JOSH 18:24 Kefar-Haamoni, Ofni dhe Geba: dymbëdhjetë qytete me fshatrat e tyre;

JOSH 18:25 Gabaoni, Ramahu, Beerothi,

JOSH 18:26 Mitspehu, Kefirahu, Motsahu,

JOSH 18:27 Rekemi, Irpeeli, Taralahu,

JOSH 18:28 Tselahu, Efeli, Gebusi (që është Jeruzalemi), Gibeathi dhe Kirjathi: katërmbëdhjetë qytete me gjithë fshatrat e tyre. Kjo që trashëgimia e bijve të Beniaminit, simbas familjeve të tyre.

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase