Main Index: Albanian Bible UTF8

 

Deuteronomy 14

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7] [8] [9] [10] [11] [12] [13] [14] [15] [16] [17] [18] [19] [20] [21] [22] [23] [24] [25] [26] [27] [28] [29] [30] [31] [32] [33] [34]

DEUT 14:1 "Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj; nuk do të bëni asnjë prerje dhe nuk do të rruheni midis syve për një të vdekur;

DEUT 14:2 sepse ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, dhe Zoti të ka zgjedhur për të qenë një popull i tij, një thesar i veçantë ndër të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut.

DEUT 14:3 Nuk do të hash asgjë të neveritshme.

DEUT 14:4 Këto janë kafshët që mund të hani: lopa, delja, dhia,

DEUT 14:5 dreri, gazela, dhia e egër, stambeku, antilopa dhe kaprolli.

DEUT 14:6 Mund të hani çdo kafshë që e ka thundrën të ndarë, dhe që përtypet midis kafshëve.

DEUT 14:7 Por nga ato që vetëm përtypen dhe që kanë vetëm thundrën të ndarë nuk do të hani devenë, lepurin dhe baldosën, që përtypen por nuk e kanë thundrën të ndarë; për ju janë të papastra;

DEUT 14:8 edhe derri, që e ka thundrën të ndarë por nuk përtypet, është i papastër për ju. Nuk do të hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të vdekur.

DEUT 14:9 Ndër të gjitha kafshët që rrojnë në ujë, mund të hani të gjitha ato që kanë pendë dhe luspa;

DEUT 14:10 por nuk do të hani asnjë nga ato që nuk kanë pendë dhe luspa; janë të papastra për ju.

DEUT 14:11 Mund të hani çdo zog të pastër;

DEUT 14:12 por nuk do të hani këto: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan e detit,

DEUT 14:13 qiftin, fajkuan dhe çdo lloj zhgabe,

DEUT 14:14 çdo lloj korbi,

DEUT 14:15 strucin, kukuvajkën mjekroshe, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë,

DEUT 14:16 bufin, ibisin, mjellmën,

DEUT 14:17 pelikanin, martin peshkatarin, kormoranin,

DEUT 14:18 lejlekun, çdo lloj gate, pupëzën dhe lakuriqin e natës.

DEUT 14:19 Çdo insekt që fluturon është i papastër për ju; nuk do ta hani.

DEUT 14:20 Por mund të hani çdo zog që është i pastër.

DEUT 14:21 Nuk do të hani asnjë kafshë që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme; mund t'ua jepni të huajve që janë brenda portave tuaja që t'i hanë ose mund t'ua shisni një të huaji, sepse ti je një popull që i je shenjtëruar Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do ta gatuash kecin bashkë në qumështin e nënes së tij.

DEUT 14:22 Do të zotohesh të japësh të dhjetën e asaj që mbjell dhe që të prodhon ara çdo vit.

DEUT 14:23 Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, dhe pjelljen e parë të tufave të bagëtive të trasha dhe të imta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia yt.

DEUT 14:24 Por në rast se rruga është shumë e gjatë për ty dhe nuk mund t'i çosh deri atje të dhjetat, sepse vendi që Zoti, Perëndia yt, ka caktuar për të vendosur emrin e tij është shumë larg nga ty, kur Zoti, Perëndia yt, do të të ketë bekuar,

DEUT 14:25 atëherë do t'i këmbesh ato me para dhe me paratë në dorë do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt;

DEUT 14:26 dhe do t'i përdorësh këto para për të blerë të gjitha ato që dëshiron zemra jote: lopë, dele, verë, pije dehëse, ose çfarëdo gjë që dëshiron zemra jote; dhe aty do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të gëzohesh ti bashkë me familjen tënde.

DEUT 14:27 Përveç kësaj nuk do të lesh pas dore Levitin, që banon brenda portave të tua, sepse ai nuk ka pjesë as trashëgimi me ty.

DEUT 14:28 Në fund të çdo tre viteve, do të vësh mënjanë të gjitha të dhjetat e prodhimeve të tua të vitit të tretë, dhe do t'i vendosësh brenda portave të tua;

DEUT 14:29 dhe Leviti, që nuk ka pjesë as trashëgimi me ty, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që gjenden brenda portave të tua, do të vinë, do të hanë dhe do të ngopen, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në çdo punë që do të të zërë dora".

 

Created with HTMLCompiler by BibleDatabase